Me zgjedhjet vendore të viti 2027 në prag, Edi Rama ka përmbysur sërish skemën e drejtuesve politikë në qarqe.
Kryetari socialist i ka dhënë vëmendjen kryesore Tiranës, drejt së cilës zhvendosen nga Vlora dhe Kukësi, Damian Gjiknuri dhe Eduard Shalsi.
Elisa Spiropali pas largimit nga qeveria, është larguar edhe nga drejtimi i qarkut, por ajo mbetet pjesë e skuadrës politike të kryeqytetit si e deleguar në një nga njësitë e Tiranës.
Drejtimi politik i Tiranës është besuar Taulant Ballës i cili do të jetë gjithashtu përgjegjës për Diasporën: “Ne sot nisim një fushatë të mirëfilltë brenda Partisë Socialiste dhe për Partinë Socialiste, në funksion të njerëzve dhe për të gjitha ato qëllimi që ndajmë me njerëzit”.
Në njësinë numër 1 është caktuar Lindita Nikolla; Gent Gazheli vazhdon të mbajë njësinë numër 2, në njësinë 3, Iris Luarasi dhe Edona Bilali; në njësinë 4, përveç Damian Gjiknurit edhe Blerina Gjylameti; në njësinë 7, Sofian Jaupaj dhe Enkelejd Musabelliu; në njësinë 8, Igli Hasani dhe Vilma Premti. Ndërsa në njësinë 9 janë caktuar Ogerta Manastirliu dhe Olta Xhaçka. Xhafaj dhe Erion Braçe janë caktuar në njësinë numër 5, ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari është caktuar drejtues politike i njësisë 10. Përveçse si qarku më i rëndësishëm i Shqiupërisë, për Edi Ramën i gjithë angazhimi i peshave të rënda të partisë në kryeqytet lidhet edhe me pakënaqësinë që ai ka për rezultatet e socialistëve në zgjedhje në Tiranë.
“Arsyet janë të ndryshme. Ka edhe një arsye të madhe objektive, të cilës unë nuk dua t’i kthehem sot. Por ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne duhet ta ngremë Tiranën më lartës e sa mesi i atij klasifikimi”, tha Rama.
Edi Rama i ka besuar dy qarqe të rëndësishme dy figurave të reja në PS, Enea Karakaçi në Shkodër dhe Ermal Nufi në Lezhë. Nga Lezha ikën Ulsi Manja dhe rikthehet në Dibër. Në Kukës, drejtues politik do të jetë Erjon Malaj. Blendi Klosi shkon në Durrës dhe ikën Emiriana Sako. Nërkohë Konfirmohen Belinda Balluku në Fier, Bledi Çuçi në Vlorë, Niko Peleshi në Korçë dhe Mirela Kumbaro në Gjirokastër. Edi Rama ndërkohë përsëriti kushtin për kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Nuk do të ketë asnjë kandidat që do rikandidojë për kryetar bashkie, që nuk kanë 10 kontrata për paketën e maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara”, theksoi Rama, shkruan A2.
Edi Rama e nisi fjalën e tij në asamble me krizën në horizont si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme ku premtoi masa për të mbajtur në kontroll çmimin e naftës dhe mbrojtur pensionistët nga një rritje e mundshme e çmimeve: “Për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve, do të ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës së naftës. Kemi në vëmendje pensionistët dhe nuk do të bëjmë asgjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata për së pari. Këtë duhet ta dinë që të gjithë”.
“Gjyqësorit ia kemi dorëzuar shpatën e pushtetit”, përsërit Edi Rama si një kundërpërgjigje ndaj akuzave se “mazhoranca po kontrollon drjtësinë.”
“Mund të thuhet gjithçka, por askush nuk mund të japë fakte për mungesën e pavarësisë së drejtësisë. Është e pavarur dhe kjo është pak, patjetër që është pak, se nuk është e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, sepse drejtësia duhet të jetë e paanshme, profesionale. Aq më tepër, që drejtësia jonë është pavarësuar në një shtrat të përgjakur dhe të ndyrë të drejtësisë që për 100 e kusur vite nuk ka qenë e lirë apo e pavarur”, u shpreh Rama.
“Duhet të çojmë para ligjin e munguar për referendumet”, paralajmëroi kryeministri Rama, duke rikujtuar iniciativën për uljen e numrit të deputetëve në Parlament.
“Ne do zbresim numrin e deputetëve dhe besoj për këtë ne jemi vonë por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum dhe ndaj ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet sepse ka edhe tema të tjera që duhet ti vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush është me kë. Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni”, theksoi Rama.
“Nuk ka mërgatë qyqesh në Bruksel që e ndal Shqipërinë”, për herë të parë, Edi Rama nuk e përmendi 2027. Ai tha brenda mandatit, duke bërë që të shtyhet premtimi fillestar edhe me 2 vjet.
“Negociatat për anëtarësim në BE nuk kanë ndalur për asnjë sekondë, që raporti i KE për vendet anëtare është i shkëlqyer për Shqipërinë, që duan apo s’duan ata qe kurrë mos daçin, ne negociatat me BE do t’i mbyllim brenda mandatit tonë”, tha Rama.
Mbledhja e socialistëve vijoi me dyer të mbyllura. Në fund të saj do të kryhet një votim formal për projekt-vendimet për kandidatët për kryetar të PS-së në 61 bashki dhe kriteret e atyre që duan të bëhen pjesë e organizatave të Partisë Socialiste. /A2 CNN