Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave, KRM Çabrati, ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë e thellë për veprimin e papranueshëm të një punëtori, i cili, me vetëdije, ka hedhur mbeturina në lumë, duke rrezikuar ekosistemin dhe shëndetin publik.
Në një reagim zyrtar, kompania thekson se ky veprim përbën “shkelje të rëndë të rregullave të punës, standardeve etike dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit” dhe cenon imazhin e institucionit.
“Hedhja e mbeturinave në lumë dëmton ekosistemin, rrezikon shëndetin publik dhe cenon imazhin e institucionit ndërmarrjes sonë. Sjellje të tilla janë në kundërshtim të plotë me parimet tona për mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në reagim.
KRM Çabrati ka njoftuar se ndaj punëtorit do të ndërmerren “masat përkatëse disiplinore, në përputhje me rregulloren e brendshme dhe legjislacionin në fuqi”.
Njëkohësisht, kompania ka paralajmëruar forcimin e kontrollit dhe ndërgjegjësimin e stafit për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
“Ftojmë të gjithë punonjësit dhe qytetarët që të sillen me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës, sepse ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim.
Kompania ka siguruar se do të vazhdojë të zbatojë praktika të qëndrueshme mjedisore dhe të veprojë kundër çdo sjelljeje që cenon ambientin dhe interesin publik. /Telegrafi/