Një e treta e shpenzimeve ushtarake ruse shkon për përfitime të familjarëve të të rënëve.
Më shumë se një e treta e shpenzimeve të Rusisë për personelin ushtarak në luftën e Ukrainës shkon për përfitime financiare që u jepen familjarëve të ushtarëve të vrarë, një shumë që tejkalon pagat e ushtarëve që janë ende në shërbim apo bonuset për rekrutime të reja.
Sipas të dhënave të disa grupeve analitike të pavarura ruse, përfitimet e vdekjes për familjarët përbëjnë rreth 38% të rreth 70 miliardë dollarëve që Rusia shpenzon çdo vit për të mbajtur një ushtri prej rreth 700 mijë vetash në Ukrainë.
Për krahasim, pagat normale për ushtarët përbëjnë vetëm 33 për qind, ndërsa bonuset e rekrutimit rreth 20 për qind të këtij buxheti, sipas raportimit të Kyiv Post.
Kjo situatë tregon se humbjet në radhët ruse janë kaq të mëdha, saqë shteti shpenzon më shumë për të paguar familjet e të rënëve sesa për të mbajtur në shërbim ushtarët që janë ende gjallë.
Analiza tregon gjithashtu se kjo ka vështirësuar rekrutimin e ushtarëve të rinj, edhe pse disa rajone ofrojnë bonuse të konsiderueshme për t’i tërhequr ata.
Raporti thekson se kjo dinamikë ka goditur veçanërisht rajonet më të varfra të Rusisë, të cilat përballen me humbje sociale dhe financiare, pasi shumica e buxheteve lokale shkojnë për këto përfitime, duke u privuar shërbime publike si shkollat dhe rrugët. /Telegrafi/