David J. Kostelancik bashkëpunëtor i Lartë Jo-Rezident në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), ka publikuar një analizë lidhur me mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Kosovë.
Kostelancik ka thënë se një gjë e tillë nga ngritur shqetësim dypartiak në Kongresin e SHBA-së, gjë që ka nxitur demokratët e republikanët të paralajmërojnë Sekretarin Rubio për efektet anësore që mund të ketë një lëvizje e tillë.
“Ata argumentuan se prania amerikane mbetet një pengesë kritike kundër përshkallëzimeve të ripërtërira etnike midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Ata gjithashtu paralajmëruan se një tërheqje mund të krijojë një mundësi për fuqitë e jashtme, veçanërisht Rusinë, për të zgjeruar ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në analizën e Kostelancik për CEPA.
Eksperti amerikan thotë se mundësia e një tërheqjeje nxjerr në pah pyetje më të gjera rreth të ardhmes së misioneve paqeruajtëse të NATO-s dhe rolit në ndryshim të SHBA-ve në sigurinë evropiane.
“Ndërsa politikëbërësit peshojnë prioritetet strategjike, debati mbi KFOR-in nënvizon rëndësinë dhe brishtësinë e vazhdueshme të Ballkanit Perëndimor”, shkruan ai.
Sipas tij, në dritën e bashkëpunimit të shtuar trepalësh midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, një reduktim i KFOR-it mund të interpretohet nga Serbia dhe Rusia si një shenjë e mosmiratimit perëndimor të “minilateralit” të tre vendeve.
Kostelancik në fund thotë se aleatët mund të vazhdojnë të jenë të qetë nëse SHBA redukton trupat por ndërkohë jep përkrahje për bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë.
“Nga ana tjetër, nëse SHBA-të tërhiqen nga KFOR-i, ndërkohë që demonstrojnë mbështetje për bashkëpunimin midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, aleatët mund të jenë ende të qetësuar dhe problematikët rajonalë të dekurajuar nga shfrytëzimi i çdo reduktimi të pranisë ushtarake amerikane”, ka thënë Kostelancik.