Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm në mbijetesën e fëmijëve, duke reflektuar përkushtimin e qeverisë ndaj politikave të bazuara në evidencë dhe programeve strategjike shëndetësore, sipas raportit të fundit të publikuar nga Grupi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve (UN IGME).
Që nga viti 2015, shkalla e vdekshmërisë neonatale në Kosovë është ulur me 36%, nga 10.3 në 6.6 vdekje për 1,000 lindje të gjalla, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç ka rënë me 39%, nga 14.3 në 8.7 për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2024. Ky progres është rezultat i investimeve të qëndrueshme në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe zgjerimit të qasjes në shërbime cilësore për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Një nga shtyllat kryesore të suksesit ka qenë zgjerimi i Programit të Vizitave në Shtëpi, i cili filloi si pilot projekt në vitin 2014 dhe u implementua në të gjitha komunat deri në vitin 2022. Ky program është integruar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Strategjinë e Sektorit të Shëndetësisë 2025–2030, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme politike dhe financiare nga Ministria e Shëndetësisë.
“Jemi të lumtur që angazhimi dhe përkushtimi i profesionistëve tanë shëndetësorë, nga kujdesi parësor shëndetësor deri te gjinekologjia e neonatologjia, po reflektohen në rezultate konkrete. Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë politika të qëndrueshme, nga forcimi i kujdesit parësor shëndetësor te zgjerimi i shërbimeve për nënat dhe fëmijët, si dhe ka shtuar shërbime të reja në Klinikën e Neonatologjisë. Do të vazhdojmë të ndërmarrim politika të bazuara në evidencë, me qëllim që ky progres të vazhdojë edhe më tej”, tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Programi i Vizitave në Shtëpi, i mbështetur edhe nga Dukati i Madh i Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in, ofron trajtim të targetuar për gratë shtatzëna, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, veçanërisht për grupet më të cenueshme. Infermierët në nivel komunal kanë luajtur rol kyç në arritjen e familjeve në zonat rurale, duke forcuar shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe promovuar zhvillimin e hershëm të fëmijës.
“Fëmijët janë në zemër të çdo shoqërie. Shëndeti, siguria dhe mirëqenia e tyre formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Të udhëhequr nga ky parim, Luksemburgu ka mbështetur me krenari iniciativa si Programi i Vizitave në Shtëpi, trajnimet për Udhëzuesin për Monitorimin e Zhvillimit të Fëmijës (GMCD) dhe Kujdesin në Grup për Prindërim,” tha Eric Dietz, Shef i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, theksoi: “Shumë fëmijë janë gjallë sot falë përkushtimit ndaj zgjidhjeve të dëshmuara, si investimet e qëndrueshme në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë, zgjedhjet e duhura të politikave, infermierët dhe mjekët e kualifikuar, mbështetja e targetuar për prindërit dhe forcimi i sistemeve shëndetësore të bazuara në evidencë. Ulja e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve në një nivel rekord të ulët është një arritje e jashtëzakonshme.”
Raporti i UN IGME thekson se, ndërsa Kosova ka arritur përparim të dukshëm, trendet globale tregojnë pabarazi të vazhdueshme në mbijetesën e fëmijëve, veçanërisht në vendet me qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore.
Kosova vazhdon të prioritizojë barazinë në shëndetin e fëmijëve dhe të forcojë programet strategjike, duke kontribuar në luftën globale kundër vdekshmërisë së parandalueshme të fëmijëve. /Telegrafi/