Nëse zgjoheni me dhimbje në shpatulla dhe shpinë, kontrolloni nëse jastëkut tuaj i ka kaluar “afati”
Jastëkët janë sende për të cilat shpesh nuk mendojmë shumë. Vetëm kur fillojmë të zgjohemi me dhimbje në qafë dhe shpinë, fillojmë të mendojmë për shkaqet e mundshme – dhe atëherë shpesh arrijmë te “problemi” i jastëkut.
Pra, si ta dini kur është koha ta ndërroni?
Zgjoheni me dhimbje
Nëse kjo ndodh gjithnjë e më shpesh, duhet të mendoni seriozisht për ndërrimin e jastëkut.
– Me kalimin e kohës, jastëkët fillojnë të dëmtohen dhe të ofrojnë më pak mbështetje. Mbështetja jo e duhur mund të shkaktojë probleme me qafën, shpinën dhe shpatullat. Gjithashtu mund të lërë ndjesi ngurtësie në mëngjes dhe të shkaktojë dhimbje koke, shpjegon ekspertja Keren Yu për The Spruce, përcjell Telegrafi.
E ka humbur formën
Ekziston një test i thjeshtë që mund t’ju ndihmojë të përcaktoni nëse jastëku duhet ndërruar.
– Paloseni jastëkun përgjysmë dhe mbajeni ashtu për rreth 30 sekonda. Kur ta lëshoni, jastëku duhet të kthehet në formën e tij normale. Nëse nuk kthehet, atëherë është koha të blini një të ri, shpjegon Yu.
Nuk është më i butë dhe i rehatshëm
Nëse jastëku juaj, përveç formës, nuk duket më i fryrë dhe i butë si më parë, është koha për një të ri. Merrni pak kohë për të vëzhguar dhe menduar nëse jastëku ju ofron ende rehatinë e nevojshme apo nëse gjatë natës ju shkakton tension sepse nuk arrini të gjeni pozicionin e duhur.
Afati i përdorimit
A e dinit se edhe jastëkët kanë afat përdorimi? Edhe pse tingëllon e çuditshme, këto kufizime kohore nuk vlejnë vetëm për produktet në frigorifer. Etiketat e shumë jastëkëve përmbajnë gjithashtu një datë, e cila është një tregues i mirë se kur duhet të blini një të ri. /Telegrafi/