Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) kanë konfirmuar rastet e sëmundjeve infektive te gjedhët, duke përfshirë Brucelozën dhe Tuberkulozin, në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë.
“Rasti i parë i konfirmuar me sëmundjen infektive të Tuberkulozes është identifikuar më 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës po ndërmerr masa të menjëhershme brenda afateve ligjore, përfshirë asgjësimin e kafshëve të infektuara.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin administrativ përkatës, AUV është duke vepruar brenda afateve ligjore të përcaktuara për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara”, thuhet në njoftim.
Sipas dispozitave ligjore, kafshët e prekura do të eliminohen brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit.
“Të gjitha veprimet institucionale janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me këtë afat kohor, duke garantuar menaxhim të kontrolluar dhe të sigurt të situatës”, theksohet më tej.
Ministria dhe AUV bëjnë thirrje për bashkëpunim të fermerëve dhe qytetarëve, për të raportuar çdo dyshim për raste të ngjashme.
“Ftojmë të gjithë fermerët dhe qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të raportojnë çdo dyshim për raste të ngjashme”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/