Komuna e Struga ka reaguar ndaj kallëzimit penal ndaj kryetarit Mendi Qyra, duke e cilësuar atë si të pabazë dhe të motivuar politikisht, shkruan “Struga Press”.
Në reagimin zyrtar thuhet se akuzat janë “përpjekje të dëshpëruara për zhurmë politike”, ndërsa theksohet se emërimet në ndërmarrjen “Ujësjellës dhe Kanalizime” janë bërë në përputhje me ligjin dhe për të shmangur kolapsin e institucionit.
“Emërimi u bë si zgjidhje urgjente në një moment kritik. Edhe pa certifikatë të gjuhës angleze, menaxhimi i ri arriti të dyfishojë të hyrat për vetëm tre muaj”, thuhet në reagim.
Nga komuna theksojnë se Ndërmarrja tashmë ka drejtues të ri dhe se janë arritur rezultate konkrete në terren.
Sipas tyre, debati nuk duhet të përqendrohet në procedura burokratike, por në përmirësimin real të shërbimeve publike.
“Qytetarët nuk jetojnë nga denoncimet, por nga shërbimet që funksionojnë”, theksohet më tej.
Komuna shton se kryetari mbetet i hapur për bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, ndërsa u bën thirrje opinionit dhe institucioneve që të bazohen në fakte dhe rezultate.
Ndryshe, dje, kryetari i Struga, Mendi Qyra, është përballur me kallëzim penal nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedonia e Veriut për veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”.
Sipas MPB-së, kallëzimi lidhet me një vendim të marrë më 18 nëntor 2025, kur në cilësinë e kryetarit të komunës, Qyra dyshohet se ka emëruar në mënyrë të paligjshme ushtruesin e detyrës drejtor të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” në Strugë.
Sipas policisë, i emëruari nuk plotësonte kushtet ligjore, i mungonte arsimimi i duhur dhe certifikimi për gjuhën angleze
Në kallëzim theksohet se përmes këtij emërimi, ish-drejtori i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në paga dhe kontribute.
Kjo është hera e dytë që paditet Qyra. Vitin e kaluar ndaj tij dhe Komunës së Strugës ishte iniciuar procedurë për kundërvajtje lidhur me organizimin e Ditës së Flamurit.