Komuna e Rahovecit ka njoftuar se ka filluar procesi i regjistrimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe përmbytjet e fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët që janë prekur nga përmbytjet ftohen që të paraqesin kërkesën e tyre pranë komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve, në administratën komunale të Rahovecit, jo më vonë se data 14 janar 2026.
“Pas paraqitjes së kërkesës, komisioni komunal do t’i kontaktojë qytetarët dhe ekipi përkatës do të dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.
Komuna ka bërë të ditur se për aplikim nevojitet dorëzimi i dokumentacionit përkatës, përfshirë kërkesën e plotësuar me fotografi me ngjyra, kopjen e letërnjoftimit dhe konfirmimin e llogarisë bankare.
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve të prekur që t’i respektojnë afatet e përcaktuara për të mundësuar trajtimin me kohë të kërkesave dhe vlerësimin korrekt të dëmeve. /Telegrafi/