Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nxjerrë një urdhëresë me të cilën ndalohet ndezja e fishekzjarrëve dhe përdorimi i mjeteve piroteknike në hapësira të hapura publike dhe në zona të banuara në të gjithë territorin e komunës.
Sipas urdhëresës, ndalesa do të jetë në fuqi nga data 25 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.
Përjashtim nga kjo masë është bërë vetëm për natën e ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor 2025, kur përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet nga ora 23:30 deri në 00:30 të 1 janarit 2026, për një periudhë prej një ore, raporton Telegrafi.
Nga Komuna e Prizrenit u bëhet thirrje qytetarëve që ta respektojnë këtë urdhëresë, e cila ka për qëllim ruajtjen e rendit publik, sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e shëndetit dhe ambientit gjatë festave të fundvitit.
Versioni i plotë dhe i detajuar i urdhëresës është bërë publik nga Komuna e Prizrenit. /Telegrafi/