Komuna e Podujevës dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e pesë shtëpive për familjet me kushte të rënda ekonomike në këtë komunë.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe humanisti Halil Kastrati, ndërsa sipas saj, Komuna e Podujevës do të participojë me nga 10 mijë euro për secilën shtëpi, përkatësisht 50 mijë euro në total, ndërsa pjesa tjetër e financimit do të mbulohet nga shoqata.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari Bulliqi dhe Kastrati kanë vizituar dy familje përfituese nga projektet e mëparshme të ndërtimit të shtëpive, si dhe Qendrën rezidenciale për të moshuar, e cila është në përfundim e sipër.
“E falënderova hoxhën e nderuar Halil Kastrati për këtë bashkëpunim të shkëlqyer që kemi për realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë”, tha Bulliqi.
Në këto aktivitete ka marrë pjesë edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti.
Komuna e Podujevës ka theksuar se bashkëpunimi me organizatat humanitare mbetet i rëndësishëm për mbështetjen e familjeve në nevojë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. /Telegrafi/