Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka hapur thirrjen publike për mbështetje financiare të organizatave joqeveritare për realizimin e projekteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit për vitin 2026.
Sipas njoftimit të komunës, kjo thirrje synon përkrahjen e projekteve dhe aktiviteteve që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, rinor dhe sportiv në komunë.
Në kuadër të këtij procesi është hapur edhe thirrja për përzgjedhjen e dy anëtarëve të jashtëm të komisionit vlerësues, njëri nga radhët e organizatave joqeveritare dhe tjetri ekspert i fushës përkatëse.
Afati për aplikim për anëtarët e komisionit vlerësues është deri më 19 mars.
Ndërkaq, thirrja publike për mbështetje financiare të projekteve të OJQ-ve me aktivitete kulturore, sportive dhe rinore do të jetë e hapur deri më 25 mars.
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se dokumentet për aplikim mund të shkarkohen përmes vegzës së publikuar në njoftimin zyrtar. /Telegrafi/