Komuna e Fushë Kosovë ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët pritet të stabilizohet gjatë ditës së nesërme, pas problemeve të shkaktuara nga turbullimi në rrjetin e ujësjellësit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se, për të siguruar furnizim të rregullt me ujë deri në normalizimin e plotë të situatës, do të organizohet shpërndarje përmes autoboteve dhe cisternave në disa lokacione të qytetit.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare të KRU Prishtina dhe të furnizohen sipas orarit të përcaktuar.
“Komuna e Fushë Kosovës mbetet në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse për të siguruar informim të saktë dhe trajtim sa më të shpejtë të situatës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Gjatë ditës së sotme, banorët e kësaj komune janë përballur me mungesë të ujit si pasojë e turbullimit në rrjetin e ujësjellësit.