Magnus Walker, një nga koleksionistët më të njohur të makinave sportive, ka vendosur të shesë disa nga automjetet e tij shumë personale nga koleksioni i markës Porsche.
Disa prej këtyre makinave do të dalin në ankand më vonë këtë muaj, duke u dhënë mundësi fansave dhe koleksionistëve të blejnë modele të veçanta.
Ndër to është edhe një Porsche 911 GT3, të cilin Walker e bleu në vitin 2016 dhe e modifikoi me “kapak” të zi dhe detaje portokalli e blu në pjesën e jashtme.
Makina ka pësuar edhe ndryshime në brendësi, ku është shtuar një timon prej fibra karboni, ndërsa vlera e saj mund të arrijë deri në 125 mijë dollarë.
Në ankand do të përfshihet edhe një Porsche 911 me rrota të stilit Fuchs dhe një skemë unike ngjyrash.
Ndërkohë, makina më e shtrenjtë pritet të jetë një Porsche 911 Carrera 2.7 MFI, një model shumë i rrallë që ruan motorin origjinal 2.7 litra.
Koleksioni përfshin gjithashtu modele të tjera si Porsche 928 dhe një Porsche 911 Turbo me ngjyrë blu të ndezur, i cili vlerësohet mes 175 mijë dhe 200 mijë dollarë.
Përveç makinave, në ankand do të dalin edhe pjesë, aksesorë dhe artikuj koleksionistësh të lidhur me Porsche. /Telegrafi/