Pas humbjes 0-1 në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës ndaj Turqisë, portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, ka reaguar në rrjetet sociale, duke vlerësuar rrugëtimin e ekipit dhe shpirtin luftarak të skuadrës.
Muric falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo eksperiencë ka qenë shumë e rëndësishme për gjithë grupin.
Portieri nënvizoi se, pavarësisht rezultatit, Kosova ka arritur diçka më të madhe se thjesht një ndeshje, duke rikthyer shpresën dhe besimin për të ardhmen.
“Jam jashtëzakonisht krenar që jam pjesë e këtij ekipi dhe që zbres në fushë me një grup lojtarësh kaq të guximshëm dhe të bashkuar”.
“Ky rrugëtim ka nënkuptuar gjithçka për ne, dhe dua t’i falënderoj të gjithë – në shtëpi dhe anembanë botës – për besimin dhe mbështetjen tuaj”.
“Në futboll, ne fitojmë dhe humbasim së bashku, por ajo që kemi arritur shkon përtej rezultateve. Ne i kemi dhënë sërish shpresë popullit tonë”.
“Për gjeneratën e ardhshme – ky është vetëm fillimi. Ëndërroni më shumë, punoni më fort dhe vazhdoni të besoni. Koha jonë do të vijë!”, ka shkruar Muric në profilin e tij në Instagram. /Telegrafi/