Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se skuadra e tij do të shfaqë një paraqitje krejtësisht ndryshe në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madrid.
Pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë, Flick pranoi se sfida është e vështirë, por theksoi se atmosfera dhe konteksti i ndeshjes mund ta ndryshojnë plotësisht rrjedhën e saj.
“E vërteta është se nuk jam i sigurt, por kam ndjesinë se kjo ndeshje do të jetë krejtësisht ndryshe, sepse atmosfera në stadium do të jetë krejt tjetër. Tifozët e dinë se çfarë po ndodh dhe çfarë kërkohet”, u shpreh Flick.
Trajneri gjerman shtoi se pavarësisht disavantazhit, besimi brenda skuadrës mbetet i fortë.
“Do të jetë e vështirë për ne, por sigurisht që unë besoj te ekipi im dhe besoj se mund ta përmbysim rezultatin. Është e mundur, pse jo? Ky është fokusi ynë, shtoi ai.
Flick theksoi gjithashtu se Barcelona duhet të gjejë balancën mes mbrojtjes dhe sulmit ndaj një kundërshtari shumë të fortë.
“Do të përballemi me një Atletico të fortë, që ka lojtarë të shkëlqyer në sulm. Na duhet një mbrojtje shumë stabile, por njëkohësisht duhet të jemi të guximshëm në sulm”.
“Duhet të sulmojmë, të bëjmë presion dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi. Kjo ishte diferenca në ndeshjen e parë mes nesh dhe atyre”, ka thënë gjermani.
Në fund, Flick u shpreh i bindur se përballja mund të marrë një drejtim krejt tjetër në ndeshjen e kthimit.
“Në fund, nesër mund të jetë një histori krejt tjetër, dhe atëherë do të jem i lumtur”, deklaroi në konferencën e tij Flick. /Telegrafi/