Shtëpia është plotësisht e pajisur për qëndrim dhe për shumëkënd paraqet një parajsë të vërtetë për t’u larguar nga zhurma e botës
Shtëpia më e vetmuar në botë ndodhet në një ishull të vogël dhe të pabanuar, të quajtur Ellidaey, në jug të Islandës. Ishulli është pothuajse krejtësisht i shkretë dhe i rrethuar nga ujëra të ftohta, gjë që e bën të vështirë për t’u arritur, por jashtëzakonisht tërheqës për dashamirët e izolimit dhe natyrës së egër.
Dikur ishulli ishte i banuar. Disa familje jetonin aty dhe merreshin me blegtori dhe peshkim. Mirëpo, gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar, banorët u shpërngulën dhe e lanë ishullin bosh. Që atëherë, ka mbetur vetëm një shtëpi e vetmuar, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në objekt spekulimesh dhe teorish të ndryshme rreth pronësisë dhe përdorimit të saj.
Një nga teoritë më të përhapura, të raportuara edhe nga mediat ndërkombëtare, thoshte se shtëpia i përkiste një miliarderi anonim që e kishte blerë si strehë në rast katastrofe globale. Një tjetër teori po aq intriguese pretendonte se pronare ishte këngëtarja e njohur islandeze Björk. Në të vërtetë, shtëpia përdoret nga një shoqatë gjuetarësh si strehë sezonale për anëtarët e saj gjatë periudhave të gjuetisë, transmeton Telegrafi.
Arritja në ishull nuk është aspak e lehtë. Nuk ka port, rrugë apo urë që të çon deri te shtëpia. Vizitorët duhet të përballen me një aventurë të vërtetë: të kalojnë ujëra të ftohta dhe shpesh të trazuar, si dhe të ngjiten në ishull me ndihmën e litarëve.
Megjithatë, ata që arrijnë deri aty shpërblehen me pamje mahnitëse të natyrës së paprekur, qetësi absolute dhe ndjesinë e izolimit të plotë nga bota moderne.
Shtëpia është plotësisht e pajisur për qëndrim. Ajo ka kuzhinë, ngrohje dhe hapësira për pushim dhe ruajtje ushqimi. Gjuetarët që e përdorin mund të kalojnë disa ditë në këtë ambient të qetë, larg stresit dhe ritmit të përditshëm.
Për ata që ëndërrojnë një jetë larg civilizimit, ishulli Ellidaey dhe shtëpia e tij e vetmuar përfaqësojnë një fantazi të vërtetë – një vend ku njeriu mund të lidhet plotësisht me natyrën dhe të harrojë, qoftë edhe për pak kohë, shqetësimet e qytetit.
/Telegrafi/