Një ekip kinez ka prezantuar një robot humanoid me madhësi të plotë, i cili mund të vrapojë me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë, më i shpejtë se shumica e njerëzve.
Roboti quhet “Bolt”, në nder të legjendës së sprintit, Usain Bolt, dhe është zhvilluar nga Instituti për Inovacionet Humanoide në Universitetin Zhejiang, në lindje të Kinës, në bashkëpunim me kompanitë Mirror Me dhe Kaierda nga qyteti Hangzhou.
Sipas krijuesve, ky është një hap i rëndësishëm për kontrollin e lëvizjes së robotëve, balancën dinamike dhe sistemet e fuqisë me performancë të lartë.
Në një video të publikuar në YouTube dhe platforma të tjera, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mirror Me, Vang Hongtao, garon në tredmil me robotin e kuq “Bolt”.
Edhe pse robotit i nevojiten hapa më të shkurtër se Vangut, ai ndërmerr hapa më të shpeshtë dhe arrin të lëvizë më shpejt mbi tredmil.
Kinezët më parë kishin vendosur edhe rekordin e shpejtësisë për robotë katërkëmbësh, me modelin “Black Panther”, i cili ka arritur mbi 10 metra në sekondë.
Në gusht të kaluar në Pekin u mbajt kampionati i parë botëror për robotë humanoidë, ku modeli “Tien Kung” fitoi garën e 100 metrave me kohën 21.5 sekonda.
Sprinteri jamajkan Usain Bolt mban rekordet botërore në 100 metra (9.58 sekonda) dhe 200 metra (19.19 sekonda), vendosur në Kampionatin Botëror të Berlinit në vitin 2009. /Telegrafi/