Hapja e tepruar ndaj të tjerëve mund të çojë në pasoja afatgjata. Disa mendime dhe informacione duhen ndarë vetëm me profesionistë të besuar
Imagjinoni që çdo fjali që thoni për veten, një ditë të rikthehet, por në momentin më të keq të mundshëm: gjatë një ndarjeje, një konflikti familjar, një përplasjeje në punë apo edhe në një proces gjyqësor. Shumëkujt kjo i ka ndodhur.
Hapja e tepërt shpesh duket e sinqertë dhe e shëndetshme, por më vonë mund të kthehet në burim dëmi që zgjat me vite.
Psikologjia thotë se thelbi nuk është mosbesimi ndaj njerëzve të afërt, por një rregull i thjeshtë: askush nuk është i detyruar t’ia dorëzojë tjetrit “çelësin” e vetëshkatërrimit.
Shoqëria shpesh e lavdëron sinqeritetin absolut – “unë i them të gjitha”, “nuk kam sekrete”, “partneri di gjithçka”. Në teori kjo tingëllon fisnike, por në praktikë mund të jetë e rrezikshme.
Tre janë arsyet kryesore pse disa gjëra duhen mbajtur për vete:
- Siguria emocionale – marrëdhëniet ndryshojnë, njerëzit largohen, dhe fjalët e besuara mund të kthehen në armë gjatë një debati.
- Reputacioni dhe karriera – një detaj i gabuar nga e kaluara mund të dalë në sipërfaqe në momentin më të papërshtatshëm.
- Mbrojtja psikologjike – sa më pak dikush di për pikat tuaja të dobëta, aq më e vështirë është t’ju manipulojë.
Ekziston një dallim mes sinqeritetit dhe ekspozimit të pamatur të jetës private. Ja 6 gjëra që nuk duhet t’i ndani me të tjerët, transmeton Telegrafi.
1. Mendimet më të errëta dhe kalimtare
Secili ka mendime për të cilat turpërohet, shpërthime zemërimi, fantazi të çuditshme, skenarë të zymtë që shfaqen nën stres. Kjo nuk do të thotë se dëshironi t’i realizoni.
Psikologët theksojnë: njeriu nuk është ajo që mendon, por ajo që bën.
Problemi lind kur tjetri nuk e dallon mendimin nga qëllimi. Në një konflikt, një fjali e thënë në moment frustrimi mund të kthehet në akuzë. Për shembull, një shprehje si “sikur të zhdukej nga jeta ime” mund të lërë pasoja të përhershme nëse keqkuptohet.
Zgjidhja më e mirë: mendimet e thella dhe të ngatërruara ndahen me një terapist ose në mjedis anonim, jo me njerëz që mund të lëndohen ose të hakmerren më vonë.
2. Informacione që mund t’ju rrezikojnë ligjërisht ose financiarisht
Ka tema që nuk i përkasin bisedave miqësore apo rrëfimeve intime, por vetëm profesionistëve, si juristët apo këshilltarët financiarë.
Kjo përfshin gjëra që mund të çojnë në:
- gjoba apo procese gjyqësore
- humbje pune apo licence
- shantazh apo manipulim
Shembuj janë shkelje të pazgjidhura, punë e padeklaruar, dokumente të pasakta apo informacione të brendshme të kompanisë.
Edhe pse njerëzit e afërt thonë: “Mua mund të ma thuash gjithçka”, e vërteta është se kështu i vendosni edhe ata në pozitë të vështirë, mund të bëhen dëshmitarë apo të përfshirë në mënyrë të pavullnetshme.
Rregulli i thjeshtë: nëse një jurist do t’ju këshillonte të heshtni, atëherë nuk është temë për tryezën familjare.
3. Sekrete që nuk janë tuajat
Ndonjëherë problemi nuk është ajo që keni bërë, por ajo që dini për të tjerët. Njerëzit shpesh ndajnë sekrete për marrëdhënie të fshehta, varësi, trauma apo parregullsi në punë, duke menduar se do të mbeten “mes katër mureve”.
Por marrëdhëniet ndryshojnë, ndërsa informacioni mbetet.
Në rast konflikti, personi që e ka marrë këtë informacion mund:
- t’ju paraqesë si tradhtar të besimit
- të përdorë fjalët tuaja kundër jush
- të përfshijë institucione ligjore, ku mund të bëheni dëshmitar
Rregulli është i thjeshtë: informacioni që nuk është i juaji, nuk është as për ta shpërndarë.
Diskrecioni nuk është pandershmëri
Mbajtja e disa gjërave për vete nuk do të thotë ftohtësi apo manipulim, por pjekuri dhe vendosje kufijsh.
Sinqeriteti është i rëndësishëm për një marrëdhënie, por transparenca e plotë nuk është e njëjtë me një marrëdhënie të shëndetshme.
Ndonjëherë, aftësia për të heshtur është ajo që ruan si marrëdhëniet, ashtu edhe qetësinë personale. /Telegrafi/