Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A5 është ndalur nga operimi sonte më 02.02.2026 rreth orës 20:25.
KEK ka njoftuar se kjo është si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), në kuotën 10–15 metra.
“Ndalja e njësisë është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të çfarëdo defekti potencial me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar kryerjen e sanimeve të nevojshme teknike”- ka njoftuar KEK.
Ndërsa thuhet se aktualisht KEK vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2.
“Për qartësi dhe transparencë ndaj opinionit publik, theksohet se në kushte të zakonshme operimi KEK funksionon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me temperatura të ulëta është angazhuar maksimalisht për të vënë në operim edhe njësinë e pestë. Si rezultat i këtij angazhimi, KEK ka arritur të operojë, për një periudhë, edhe me pesë njësi prodhuese njëkohësisht”- thuhet në njoftim.
KEK thekson se mbetet i përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, duke zbatuar masa të rregullta parandaluese dhe mirëmbajtëse, me qëllim të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit.