Sulmuesi i Fiorentinës, Moise Kean, mund të jetë një nga emrat më të mëdhenj që pritet të largohet nga klubi në afatin kalimtar të janarit, teksa skuadra vazhdon të vuajë në pjesën e fundit të tabelës së Serie A.
Edhe pse mbetet një pikë kyçe për trajnerin Paolo Vanoli, Kean po kalon një periudhë të vështirë, larg formës së sezonit të kaluar kur arriti të shënojë 25 gola.
Në ndeshjet e fundit, pakënaqësia e tij ka qenë e dukshme, veçanërisht gjatë një situate penalltie që shkaktoi tension me shokët e skuadrës.
Pavarësisht përkushtimit të tij, emocionet nuk justifikojnë përplasjet në fushë, sidomos në një moment kritik ku Fiorentina po lufton për të shmangur rënien.
Megjithëse Kean mbetet qendror në planet teknike të Vanolit, e ardhmja e tij mund të ndikohet nga interesimi i klubeve të mëdha.
Sipas Calciomercato, Barcelona ka zhvilluar tashmë kontakte me agjentin e lojtarit, duke konfirmuar vlerësimin e lartë që sulmuesi gëzon në Evropë.
Një transferim në janar mund t’i siguronte klubit të ardhura të rëndësishme, por njëkohësisht do të ishte një goditje e madhe për skuadrën e Rocco Commissos në një periudhë krize të thellë. /Telegrafi/