KB Sigal Prishtina ka zyrtarizuar marrëveshjen me trajnerin malazez Dusan Dubljevic, i cili nga tani merr drejtimin e ekipit të parë, në një moment të rëndësishëm për klubin pas ndryshimeve të thella në strukturën drejtuese.
Emërimi i Dubljevic vjen si pjesë e një strategjie të qartë për rikthimin e stabilitetit, organizimit dhe disiplinës në skuadër, me fokus të veçantë në ndërtimin e një mentaliteti fitues që historikisht e ka karakterizuar Sigal Prishtinën.
Trajneri i ri sjell me vete përvojë të gjerë ndërkombëtare, duke udhëhequr skuadra si KK Sutjeska Niksic dhe KK Teodo Tivat, si dhe duke pasur paraqitje të rëndësishme në garat elitare rajonale, ABA League dhe ABA League 2.
Dubljevic njihet për filozofinë e tij të punës që kërkon angazhim maksimal, përgjegjësi individuale dhe kolektive, si dhe respekt absolut për fanellën – vlera që përputhen plotësisht me identitetin dhe ambiciet e klubit nga kryeqyteti.
Në fund, KB Sigal Prishtina ka ftuar ‘Plisat’ dhe të gjithë dashamirët e basketbollit që të jenë pranë ekipit dhe ta mbështesin fuqishëm skuadrën në këtë fazë të re dhe vendimtare të sezonit. /Telegrafi/