Katër futbollistë të Barcelona janë në rrezik pezullimi përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit.
Lamine Yamal, Fermín López, Gerard Martín dhe Marc Casadó janë vetëm një karton të verdhë larg pezullimit me një ndeshje.
Nëse ndonjëri prej tyre ndëshkohet në përballjen e parë, do të mungojë në sfidën e kthimit në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano”, çka do të ishte një goditje e rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick në një fazë vendimtare të garës.
Barcelona tashmë përballet me disa mungesa të rëndësishme, përfshirë Raphinha dhe Frenkie de Jong, duke e bërë disiplinën një faktor kyç në këtë përballje.
Sipas rregullave të garës, kartonët e verdhë fshihen vetëm nga faza gjysmëfinale, çka do të thotë se lojtarët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në çerekfinale për të shmangur pezullimet. /Telegrafi/