Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar listën e kategorizimit të sporteve për këtë vit, ku 37 federata sportive janë renditur në katër kategori (A, B, C dhe D), bazuar në pikët e grumbulluara sipas kritereve të përcaktuara me rregullore.
Nga 55 federata që janë pjesë e Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), procesit të kategorizimit i janë nënshtruar 37 prej tyre, ndërsa vetëm federatat e licencuara nga MKRS përfitojnë mjete financiare nga buxheti i shtetit.
Ajo që bie në sy në listën e re është ngritja e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës në Kategorinë A, pasi në vitin e kaluar kishin qenë pjesë e Kategorisë B.
Sipas listës së publikuar, Federata e Futbollit ka grumbulluar 85.5 pikë, ndërsa ajo e Basketbollit 85.3 pikë, duke siguruar kështu avancimin në kategorinë më të lartë të sporteve në vend.
Në Kategorinë A bëjnë pjesë gjithashtu Federata e Xhudos e Kosovës, e cila prin me 115.26 pikë, Federata e Karatesë e Kosovës me 97.5 pikë dhe Federata e Volejbollit e Kosovës me 88 pikë, si dhe Federata e Hendbollit e Kosovës me 87.8 pikë.
Ndërkaq, federatat e tjera janë të renditura në kategoritë B, C dhe D, në varësi të pikëve të fituara nga vlerësimi i komisionit përkatës.
Sipas rregullores së nënshkruar më 30 dhjetor 2022, kompetenca për kategorizimin e federatave i takon MKRS-së, ndërsa më herët ky proces realizohej nga KOK-u.
Në fund të dokumentit theksohet se federatat kanë të drejtë ankese brenda pesë ditësh pranë Komisionit të Ankesave të MKRS-së.
Kategorizimi i ri pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ndarjen e fondeve dhe mbështetjen institucionale për federatat sportive gjatë këtij viti./Telegrafi/