Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar një sasi të madhe marihuane gjatë një aksioni të zhvilluar në autostradën “Miqësia” pranë Gradskos.
Siç njofton MPB, janë privuar nga liria dy persona.
“Zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Njësia “Tigrat”, në pikën e pagesës Stobi, kanë vërejtur lëvizje të dyshimtë të një automjeti “Seat Altea” me targa të Shkupit, ndërsa shoferit, pasi iu dha shenjë të ndalojë për t’u identifikuar, me shpejtësi të madhe është larguar në drejtim të Gradskos. Për një kohë të shkurtër policia e ka kapur dhe ka kryer identifikimin dhe kontrollin e automjetit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga kontrolli i automjetit “Seat Altea”, i drejtuar nga F.N., janë gjetur dhe sekuestruar katër çanta të zeza, në të cilat ndodheshin gjithsej 65 pako me lëndë bimore, me peshë totale prej 65 kilogramësh, si dhe dy telefona celularë.
“Sot (04.04.2026), nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë do të paraqitet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Veles kundër F.N. (38) nga Shkupi dhe J.M. (55) nga Kavadari, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve” sipas nenit 215 paragrafi 1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Nga MPB thonë se droga, në bazë të urdhrit të prokurorit publik, do t’i dorëzohet Departamentit për Ekspertiza Forenzike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.