Turizmi ndërkombëtar do të jetë në fokus në Prishtinë fundjavën e ardhshme, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në daten e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit KOSOVA 2026, një ngjarje që pritet të mbledhë në një vend qindra kompani dhe vizitorë nga vende të ndryshme.
Më 17-18 prill 2026, në ambientet e Prishtina Mall, ky panair do të sjellë një panoramë të gjerë të industrisë së turizmit, duke përfshirë mbi 400 kompani që operojnë në fusha të ndryshme, nga hotelet dhe agjencitë turistike, te transporti dhe promovimi i destinacioneve. Për bizneset, organizimi krijon hapësirë për takime B2B dhe zhvillim të bashkëpunimeve të reja, ndërsa për vizitorët, ofron një mundësi për t’u njohur nga afër me trendet më të fundit të udhëtimit.
Panairi është i hapur për të gjithë vizitorët.
Përgjatë dy ditëve të panairit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të eksplorojnë destinacione të ndryshme turistike, të informohen për oferta konkrete udhëtimi dhe të përfitojnë nga promovime dhe shpërblime që prezantohen ekskluzivisht gjatë këtij organizimi. Prezantimet nga kompani ndërkombëtare dhe rajonale pritet të sjellin ide të reja për planifikimin e pushimeve, por edhe një pasqyrë më të gjerë të zhvillimeve në këtë sektor.
Në prag të mbajtjes së tij, Panairi Ndërkombëtar i Turizmit KOSOVA 2026 vjen si një nga aktivitetet më të mëdha të këtij lloji në vend, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi për industrinë dhe për të gjithë ata që kërkojnë alternativa të reja për udhëtim dhe eksperienca të ndryshme./ Unioni.i.Turizmit