Në episodin e 67-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, gastroenterologu Valon Hamza ka folur për një nga sëmundjet më serioze dhe gjithnjë e më të përhapura – kancerin kolorektal, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndërgjegjësimit të popullatës.
Sipas tij, kjo sëmundje është ndër më të shpeshtat në botë dhe mbetet një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve.
“Për fat të keq, ky kancer është i shpeshtë. Në botë është kanceri i tretë më i shpeshtë… dhe ka edhe një mortalitet shumë të rritur”, tha Hamza.
– YouTube www.youtube.com
Ai theksoi se edhe në Kosovë situata nuk është e lehtë, duke potencuar se pothuajse çdo ditë diagnostikohet një rast i ri.
Një nga sfidat më të mëdha sipas specialistit është fakti që sëmundja zhvillohet ngadalë dhe simptomat shfaqen vonë.
“Kanceri kolorektal është një sëmundje që zhvillohet ngadalë… kur paraqiten simptomat, mund të jetë vonë”, theksoi ai.
Ai tha se simptomat janë: si fryrje barku, ndryshime në jashtëqitje, kapsllak apo diarre.
Një shqetësim tjetër i ngritur në këtë episod është rritja e rasteve tek të rinjtë.
“Sot çdo i pesti pacient i diagnostikuar me kancer kolorektal është nën moshën 50 vjeçare”, tha ai duke treguar ndryshimin e trendit të viteve të fundit.
Hamza theksoi se kolonoskopia mbetet metoda më efektive për diagnostikim dhe parandalim, pasi mundëson jo vetëm zbulimin e hershëm, por edhe trajtimin në të njëjtën kohë.
“Kolonoskopia na mundëson ta shikojmë komplet zorrën e trashë… dhe në të njëjtën kohë mund të largojmë ndryshimet që i hasim”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se kjo procedurë nuk është aq e dhimbshme sa perceptohet në publik dhe mund të kryhet edhe pa anestezion në kushte të duhura.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/