Ish-ylli i Real Madridit dhe futbollit botëror, Luis Figo, ka thurur elozhe për yllin e Bayern Munich, Michael Olise, duke e cilësuar atë si një lojtar me “cilësi të jashtëzakonshme” dhe me potencial për të luajtur në klubet më të mëdha të Evropës.
Në një prononcim për gazetën AS, Figo u shpreh i impresionuar nga paraqitjet e fundit të Olise me Bayern Munich, duke theksuar se zhvillimi i tij mund ta dërgojë në majat e futbollit botëror.
“Ai luajti një ndeshje të shkëlqyer. Ka cilësi të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë si lojtar. Nëse vazhdon me këtë progres, ai do të jetë gjithmonë kandidat për Topin e Artë”, deklaroi Figo.
Legjenda portugeze madje la të hapur mundësinë që Olise një ditë të veshë fanellën e Real Madrid.
“A mund të luajë te Real Madridi? Ai ka cilësinë për të luajtur në çdo ekip në botë, qoftë Madrid apo ndonjë tjetër”, shtoi legjenda portugeze.
Michael Olise po kalon një formë të jashtëzakonshme me Bayern Munich, duke regjistruar 12 gola dhe 20 asistime në 27 ndeshje të Bundesligës.
Në të gjitha garat, ai ka qenë i përfshirë në 46 gola gjithsej (17 gola dhe 29 asistime në 42 ndeshje), duke u shndërruar në një nga lojtarët më produktivë të sezonit. /Telegrafi/