Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka ndarë një mesazh emocional për tifozët e klubit, duke reflektuar mbi periudhën e tij nëntëvjeçare në “Anfield”.
Në një deklaratë të sinqertë dhe plot mirënjohje, Klopp theksoi se lidhja e tij me tifozët dhe klubin ishte e ndërsjellë, duke refuzuar idenë se ai meriton falënderime të veçanta.
“Ne kaluam një kohë të mrekullueshme dhe askush, e them me gjithë zemër, askush nuk ka pse të më falënderojë mua”, u shpreh ai.
“E dëgjoj shpesh këtë, por unë jam ai që duhet të falënderoj për të njëjtat arsye. Ishte jeta jonë. Ne u përpoqëm të bënim gjithçka për të arritur suksesin maksimal dhe ndonjëherë ia dolëm, ndonjëherë jo”, ka thënë fillimisht Klopp.
Trajneri gjerman shtoi se kujtimet nga kjo periudhë do të mbeten të paharrueshme për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi.
“Askush nuk mund të kthehet pas në këto nëntë vite pa buzëqeshur, sepse ishte thjesht diçka e jashtëzakonshme”, përfundoi Klopp.
Gjatë drejtimit të tij te Liverpool, Klopp arriti suksese historike, duke e rikthyer klubin në majat e futbollit evropian dhe anglez.
Nën drejtimin e tij, “The Reds” fituan trofe të rëndësishëm, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier, duke i dhënë fund një pritjeje 30-vjeçare për titullin kampion në Angli.
Mesazhi i Klopp vjen si një reflektim emocional për një epokë që konsiderohet nga shumë tifozë si një nga më të suksesshmet dhe më të dashurat në historinë moderne të klubit. /Telegrafi/