Pas një nominimi të fortë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, gara për një vend në finale është bërë edhe më e ashpër. Në përballje me Shëndriti dhe Edisa, banorja Juela nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme të publikut, duke u eliminuar përfundimisht nga edicioni i pestë i këtij formati.
Pas televotimit, u bë e ditur se Juela ishte më pak e votuara nga publiku për të vijuar garën në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, ndërsa Edisa dhe Shëndriti siguruan qëndrimin e tyre dhe do të vazhdojnë rrugëtimin drejt finales së madhe, e cila pritet të mbahet brenda më pak se dy javësh.
Largimi i saj ka sjellë reagime të menjëhershme edhe brenda shtëpisë. Disa prej banorëve, të cilët kishin qenë kundër lojës së Juelës gjatë javëve të fundit, e pritën eliminimin e saj me entuziazëm, duke e konsideruar këtë si një moment lehtësimi për strategjinë e tyre në lojë.
Gjatë qëndrimit në shtëpi, Juela ishte shpesh në qendër të diskutimeve për shkak të aleancës së saj me Rogerti, bashkëpunim që kishte krijuar tensione me disa prej banorëve të tjerë dhe kishte ndikuar në dinamikat e lojës.
Tashmë, me largimin e saj, gara mbetet e hapur dhe pritet të intensifikohet edhe më shumë, teksa banorët e mbetur po luftojnë për të siguruar një vend në finalen e madhe. /Telegrafi/