Nga ushqimi dhe kapsllëku te problemet më serioze shëndetësore, ekspertët shpjegojnë pse ndodh kjo dhe kur duhet të shqetësoheni
Ndonjëherë, jashtëqitja mund të jetë dukshëm më e madhe, madje aq sa vështirëson zbrazjen dhe mund të bllokojë edhe tualetin. Ndërsa shumica e këtyre rasteve lidhen me ushqimin ose kapsllëkun, ndonjëherë pas kësaj dukurie mund të fshihen edhe shkaqe më serioze shëndetësore.
Kur jashtëqitja bëhet shumë e madhe ose e fortë dhe kalon me vështirësi nëpër zorrë, zakonisht është shenjë e kapsllëkut ose problemeve me tretjen. Shpesh arsyeja qëndron te mungesa e fibrave – pa fruta, perime dhe drithëra integrale të mjaftueshme, jashtëqitja bëhet më e thatë dhe më e vështirë për t’u eliminuar.
Gjithashtu, uji e zbut jashtëqitjen, ndërsa mungesa e tij e vështirëson kalimin nëpër zorrën e trashë. Po ashtu, peristaltika e ngadalësuar dhe shtyrja e nevojës për zbrazje kontribuojnë në grumbullimin e saj.
Pesë shkaqe të jashtëqitjes së madhe
Ekspertët theksojnë se shkaqet kryesore përfshijnë ushqimin, kapsllëkun dhe mbajtjen e jashtëqitjes, gjë që mund të çojë në masa të mëdha dhe kompakte që vështirësojnë zbrazjen.
Mbajtja e jashtëqitjes dhe kapsllëku i herëpashershëm mund të krijojnë një masë aq të madhe sa të bllokojë tualetin. Por në disa raste, kjo mund të jetë edhe problem shëndetësor, shpjegon doktoresha Pratima Diba, specialiste e gastroenterologjisë në Nju Jork, transmeton Telegrafi.
Faktorët më të zakonshëm që ndikojnë në madhësinë e jashtëqitjes dhe kalimin e saj janë:
1. Ushqimi dhe marrja e lëngjeve
Një vakt i bollshëm mund të çojë në jashtëqitje më të madhe, sidomos kur marrja e lëngjeve është e pamjaftueshme. Kur trupi është i dehidratuar, jashtëqitja bëhet më e fortë dhe më e madhe.
Dehidratimi shkakton jashtëqitje më të fortë që lëviz më ngadalë nëpër zorrë, duke krijuar masë më të madhe, thotë doktoresha Erial Peti.
Nëse zbrazja shoqërohet me dhimbje të forta, nauze ose gjendje të përgjithshme të keqe, kërkohet vlerësim mjekësor.
Fibrat rrisin vëllimin dhe lehtësojnë lëvizjen e jashtëqitjes. Ndryshimet në marrjen e tyre mund të ndikojnë kështu:
• mungesa e fibrave → jashtëqitje më e fortë dhe e ngadaltë
• teprica e fibrave → masë shumë e madhe që mund të vështirësojë zbrazjen
2. Kapsllëku
Kapsllëku përkufizohet si më pak se tri zbrazje në javë dhe shpesh shoqërohet me jashtëqitje të fortë. Ai rrit qëndrimin e jashtëqitjes në zorrën e trashë, duke e bërë më të madhe.
Shkaqet përfshijnë:
• mungesë aktiviteti fizik
• shtyrje të zbrazjes
• mosha e shtyrë
• çrregullime si sindroma e zorrës së irrituar
• ndryshime në rutinë (udhëtime, orare gjumi)
3. Kapsllëku nga barnat
Disa barna mund të shkaktojnë kapsllëk të vazhdueshëm, sidomos kur merren njëkohësisht:
• barna kundër dhimbjes
• antidepresivë
• antihistaminikë
• barna për tensionin
• suplemente hekuri
Kjo mund të rrisë ndjeshëm masën e jashtëqitjes dhe të vështirësojë zbrazjen.
4. Disfunksioni i dyshemesë së legenit
Në disa raste, muskujt nuk relaksohen siç duhet gjatë zbrazjes, por kontraktohen, duke e vështirësuar kalimin e jashtëqitjes.
Simptomat përfshijnë:
• sforcim gjatë zbrazjes
• ndjesi zbrazjeje jo të plotë
• dhimbje në legen
• rrjedhje jashtëqitjeje
Mund të shfaqen edhe simptoma si inkontinenca urinare ose dhimbje gjatë marrëdhënieve.
5. Obstruksioni i zorrëve
Pamundësia për zbrazje mund të jetë pasojë e bllokimit të zorrës së trashë.
Bllokimet mund të shkaktohen nga masa në zorrë, përdredhje ose inde mbresë, shpjegon dr. Diba.
Këto janë gjendje serioze që kërkojnë ndërhyrje urgjente. Shenjat alarmuese janë:
• jashtëqitje e zezë ose me gjak
• pamundësi për nxjerrje gazrash
• temperaturë
• dhimbje të forta barku
• të vjella
Si të lehtësohet zbrazja
• rritja e fibrave në ushqim
• pirja e 1.5–2 litra ujë në ditë
• aktiviteti fizik
• mos shtyrja e nevojës për zbrazje
• përdorimi i laksativëve vetëm me këshillë mjeku
Në shumicën e rasteve, bllokimi i tualetit lidhet me kapsllëk të përkohshëm ose ndryshime në ushqim, por ndonjëherë mund të sinjalizojë problem më serioz. Nëse shfaqen dhimbje, nauze ose gjendje e rënduar, kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore. /Telegrafi/