Italia nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, pasi u mposht në finalen e play-offit nga Bosnjë-Hercegovina. Ky është një tjetër dështim i madh për “Azzurrët”, që vazhdojnë të mbeten jashtë skenës më të madhe të futbollit botëror, për të tretin vit radhazi.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së Italisë si kombëtare, shumë trajnerë italianë do të jenë të pranishëm në Botëror, duke drejtuar përfaqësuese të ndryshme.
Vincenzo Montella është një prej tyre, pasi me Turqinë arriti të fitojë ndaj Kosovës në finalen e play-offit në Prishtinë me rezultat 1-0. Ai kishte treguar formë të mirë edhe më herët, duke e çuar Turqinë deri në çerekfinale të Euro 2024.
Një tjetër emër i madh është Fabio Cannavaro, i cili u emërua trajner i Uzbekistanit në tetor dhe tashmë do ta drejtojë këtë ekip kombëtar në Kampionatin Botëror e parë në histori. Cannavaro ishte kapiten i Italisë në triumfin e madh në Kupën e Botës 2006, që mbetet suksesi i fundit i madh i italianëve në këtë garë.
Ndërkohë, Carlo Ancelotti mori drejtimin e Brazilit në maj të vitit të kaluar, duke zgjedhur aventurën jashtë vendit në një kohë kur posti i trajnerit të Italisë ishte vakant.
Pas largimit të Luciano Spalletti, Federata Italiane tentoi të bindë Claudio Ranieri, por ai refuzoi ofertën. Në fund, drejtimi i kombëtares iu besua Gennaro Gattuso, një tjetër figurë kyçe e suksesit të vitit 2006.
Dështimi i fundit nënkupton se Italia nuk ka marrë pjesë në një Kupë Bote që prej vitit 2014, duke munguar në tre edicione radhazi. Një statistikë interesante është se kjo periudhë përkon me kohën kur Gianni Infantino është në krye të FIFA-s, që nga viti 2016. /Telegrafi/