Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Pressing në T7, ka deklaruar se PDK është e përkushtuar që votën e qytetarëve ta kthejë në politika që bashkojnë shoqërinë dhe jo në përçarje.
Ismaili tha se gjatë gjithë kohës sa Bedri Hamza ka qenë objekt i sulmeve nga eksponentë të partive kundërshtare, ai ka arritur të ruajë kulturën politike, duke theksuar se pikërisht kjo kulturë është ajo që u mungon sot qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, mendësia që PDK po përfaqëson në këtë fushatë është e reflektuar drejtpërdrejt në veprimet dhe qasjen e kandidatit për kryeministër.
“Jemi të dedikuar që votën që e marrim prej qytetarit ta kthejmë në politika që bashkojnë shoqërinë dhe e shtyjnë vendin përpara – në mirëqenie, zhvillim ekonomik, sigurime shëndetësore dhe arsim. Pra, në politika që gjenerojnë të mira konkrete për qytetarët”, tha Ismaili.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës është në një fazë të rritjes së pandalshme dhe se kjo rritje do të konfirmohet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ismaili theksoi se prioritet i PDK-së mbetet bashkimi i shoqërisë dhe dhënia fund e përçarjes që, sipas tij, është shkaktuar nga qeverisja aktuale, duke nënvizuar se Bedri Hamza ka ndërtuar një listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga profesione dhe rajone të ndryshme, me qëllim adresimin e problemeve reale të qytetarëve.