Hysen Çekaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës njëherit kandidati më i votuar nga mërgata në zgjedhjet e kaluara, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Çekaj ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e moskandidimit është përkujdesja ndaj nënës së tij.
“Përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës”, tha ai.
Megjithatë, Çekaj theksoi se vendimi për të mos kandiduar nuk nënkupton tërheqje nga angazhimi politik.
“Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi – mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar”, u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve për mbështetjen e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
“I ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë ka aq shumë nevojë”, deklaroi Çekaj.
Në fund, ai la të hapur mundësinë e rikthimit në garë në zgjedhjet e ardhshme.
“Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehem edhe më fuqishëm, si në garë ashtu edhe në angazhimet e drejtpërdrejta për LDK-në dhe për Kosovën”, u shpreh ai, duke falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme. /Telegrafi/