Isak Shabani është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës për legjislaturën e tetë, të dalë nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.
Zgjedhja e tij u bë në mbledhjen e dytë të kësaj legjislature, ku Shabani, pa pasur kundërkandidat, mori mbështetjen e 21 asamblistëve, ndërsa një anëtar abstenoi. Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Seanca filloi me njoftimin e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, lidhur me emërimet në Ekzekutivin komunal, ku disa nga të emëruarit kishin qenë të zgjedhur edhe si anëtarë të Kuvendit në zgjedhjet e fundit lokale.
Mbledhja u drejtua fillimisht nga anëtari më i moshuar i Kuvendit, Isak Ejupi, i cili informoi për zëvendësimin e disa asamblistëve. Sipas tij, Bahri Selimin e zëvendëson Abedin Zeka, Vigan Salihun Avni Islami, Lirie Hotin Qëndresë Hajrizi, ndërsa Avni Fetahun Ardi Hasani.
Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, anëtarët e rinj dhanë betimin dhe nënshkruan deklaratat për marrjen e mandatit. Më pas, Kuvendi formoi Komisionin për mbarëvajtjen e procesit të votimit për Kryesues, i përbërë nga tre anëtarë.
Në përfundim të procesit, Isak Shabani nga radhët e PDK-së u zgjodh Kryesues i Kuvendit Komunal. Duke falënderuar asamblistët për besimin e dhënë, Shabani u zotua se do ta ushtrojë këtë funksion me përgjegjësi dhe transparencë.
“Këtë detyrë e shoh si shërbim ndaj qytetarëve dhe do të angazhohem që puna e Kuvendit të zhvillohet në mënyrë ligjore, transparente dhe në interes të përgjithshëm,” tha Shabani.
Gjatë së njëjtës seancë, Kuvendi Komunal zgjodhi edhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, i cili do të përbëhet nga nëntë anëtarë. /Telegrafi/