Modelja ruse Irina Shayk ishte në rolin e prezantueses gjatë mbrëmjes së tretë të Sanrem, dhe në konferencën për shtyp që i parapriu, asaj iu kërkua mendimi i saj për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Me të mbërritur në konferencë, Shayk përshëndeti të pranishmit në italisht, duke thënë: “Mirëmëngjes, jam e lumtur që ndodhem këtu në Sanremo me të gjithë ju, ju faleminderit shumë.”
Ajo foli për lidhjet e saj me muzikën dhe theksoi se publiku nuk do të shihte asnjë performancë muzikore prej saj.
“Nëna ime ishte mësuese muzike për 25 vjet, dhe kur isha fëmijë luaja piano dhe këndoja në kor. Mos më kërkoni të këndoj”, tha ajo.
Më pas ajo foli për jetën e saj dhe të kaluarën jo aq të lehtë: “U rrita në një fshat të largët dhe punova në një kopsht, kështu që nëse më pyetni se si të kultivoj kastraveca, unë e di si.”
Mësimi nga ajo e kaluar është “të mos harrosh rrënjët e tua, të qëndrosh me këmbë në tokë, të jesh i sjellshëm me të tjerët”.
“Kisha një jetë të thjeshtë. Në jetë, nuk ka rëndësi sa shumë ke, por sa afër je me të dashurit e tu. Këtë ia mësoj vajzës sime kur ajo do të pushojë dhe i them se duhet të punojë më parë, të pastrojë dhe pastaj do ta shohim”, tha ajo.
Ata u përpoqën ta bindnin të fliste për ngjarjet aktuale, por pa sukses.
“Je ruse, çfarë mendon për luftën në Ukrainë?” e pyeti gazetarja, megjithatë, Shayk nuk donte të komentonte për këtë.
“Nuk dua të them asgjë politike”, tha ajo, duke shtuar, “Sepse jam këtu për të festuar dashurinë, muzikën dhe unitetin, dhe për të sjellë shumë energji pozitive. Mendoj se po ndodhin shumë gjëra në botë dhe jam e lumtur që jam me ju dhe që shoh buzëqeshjet tuaja, por nuk dua të hyj në çështje politike”.
Ajo vazhdoi me mesazhin: “Dua t’i dërgoj një mesazh paqeje dhe dashurie të gjithë botës. Jam këtu për të festuar muzikën dhe si një grua ruse, jam e lumtur për këtë mundësi. Nëse ka njerëz që nuk janë të lumtur që jam këtu, nuk mund të bëj asgjë për këtë. Unë jam një figurë publike dhe kjo është diçka që duhet pranuar.”
Pas polemikave me Carlo Conti për shkak të mungesës së grave në konkurs, ajo tha: “Unë jam feministe, por jam feministe në mënyrën time. Nuk dua që burrat të zhduken nga faqja e Tokës. I dua burrat dhe i respektoj ata. Ndonjëherë dua që burrat të ndryshojnë në marrëdhënie, por unë prapë i dua”. /Telegrafi/