Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda ushtarake nëse vendos mina ose pengon qarkullimin e naftës në Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
Në një postim publik, Trump tha se nëse Irani ka vendosur mina në këtë ngushticë strategjike, ato duhet të hiqen “menjëherë”.
Ai shtoi se nëse minat janë vendosur dhe nuk hiqen menjëherë, pasojat ushtarake për Iranin do të jenë në një nivel “që nuk është parë kurrë më parë”.
Sipas presidentit amerikan, çdo veprim nga Irani që do të ndalonte rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit do të sillte një reagim shumë të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trump deklaroi se Irani mund të goditet “njëzet herë më fort” sesa është goditur deri tani.
Lideri amerikan paralajmëroi gjithashtu se SHBA mund të shkatërrojë objektiva që, sipas tij, do ta bënin pothuajse të pamundur që Irani të rindërtohej si shtet në të ardhmen. Në deklaratë, 79-vjeçari përdori edhe shprehjen “vdekje, zjarr dhe tërbim”, ndërsa shtoi se shpreson që një përshkallëzim i tillë të mos ndodhë.
Presidenti amerikan e quajti qëndrimin e SHBA-së një “dhuratë” për vendet që varen shumë nga qarkullimi i naftës në këtë rrugë detare, duke përmendur veçanërisht Kinën dhe shtete të tjera që përdorin intensivisht këtë korridor energjetik global.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare të naftës, pasi një pjesë e madhe e eksportit global të energjisë kalon përmes saj. Çdo tension në këtë zonë shihet si një rrezik i madh për tregjet botërore të energjisë dhe stabilitetin rajonal. /Telegrafi/