Bodo/Glimt ka shkaktuar një nga befasitë më të mëdha të këtij edicioni në play-off-in e Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Interin me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë, në një përballje me ritëm dhe emocione.
Skuadra norvegjeze e nisi sfidën me guxim dhe kaloi në epërsi në minutën e 20-të. Pas një pasimi të shkëlqyer nga Kasper Hogh, Sondre Fet u gjend i lirë brenda zonës dhe realizoi me saktësi për 1-0, duke ndezur festën në tribunat vendase.
Inter reagoi dhe barazoi në minutën e 30-të. Pas një rrëmuje në zonë, Francesco Pio Esposito përfitoi nga topi i kthyer dhe shënoi për 1-1. Goli u kontrollua nga VAR-i për një prekje me dorë, por u konfirmua dhe festa e zikaltërve vazhdoi.
Megjithatë, në pjesën e dytë Bodo/Glimt tregoi vendosmëri të jashtëzakonshme.
Në minutën e 61-të, Jens Hauge riktheu epërsinë për vendasit pas një asistimi nga Hogh, duke realizuar bukur në këndin e sipërm të majtë për 2-1.
Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 64-të, Hogh këtë herë u shndërrua në realizues, duke shfrytëzuar një pasim nga Ole Blomberg dhe duke vulosur rezultatin 3-1.
Inter pati disa raste të mira, përfshirë një shtyllë nga Matteo Darmian dhe disa pritje vendimtare nga portieri Nikita Haikin, por nuk arriti të rikthehej në lojë.
Me këtë fitore, kampionët norvegjezë hedhin një hap të madh drejt fazës tjetër dhe i shkaktojnë një goditje të rëndë Interit, që tani do të duhet të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit.
Një mbrëmje historike për Bodo/Glimt, që tregoi organizim, efikasitet dhe karakter përballë një gjiganti evropian. /Telegrafi/