Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin janar 2026, duke bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit ka arritur në 5,8 për qind, ndërsa rritja mujore e çmimeve është 1,2 për qind.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit në janar 2026 është rritur mesatarisht për 5,8 për qind krahasuar me janarin e vitit 2025.
Rritja vjetore e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i biletave të fluturimeve, shërbimeve të furnizimit me ujë dhe shërbimeve të tjera të lidhura me banimin, lëndëve djegëse të ngurta si druri dhe peleti, energjisë elektrike, produkteve ushqimore dhe shërbimeve hoteliere, si dhe mirëmbajtjes së pajisjeve personale të transportit.
ASK thekson se rritje të ndjeshme të çmimeve janë regjistruar edhe te mishi, kafeja, çaji dhe kakaoja, qumështi, djathi dhe vezët, peshqit, kujdesi personal dhe produktet e tjera ushqimore. Ndërkohë, veshjet dhe këpucët kanë shënuar rritje më të moderuar të çmimeve.
Në anën tjetër, rënie e çmimeve është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me një ulje prej 7,3 për qind në bazë vjetore, duke pasur ndikim negativ në indeksin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit.
Në krahasim me muajin dhjetor 2025, inflacioni mujor në janar 2026 ka qenë 1,2 për qind.
Sipas ASK-së, kjo rritje është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i biletave të fluturimeve, shërbimeve të furnizimit me ujë, lëndëve djegëse të ngurta, perimeve dhe energjisë elektrike. Edhe në këtë periudhë, karburantet dhe lubrifikantët kanë shënuar rënie çmimesh.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se së shpejti do të publikohet seria e përditësuar e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit me shportë të re të konsumit, vit bazë 2025 dhe klasifikim sipas COICOP 2018. /Telegrafi/