Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se pas reshjeve të fundit të shiut, janë paralajmëruar probleme me ujin e pijes në disa rajone, gjatë së mërkurës, më 07.01.2026.
Sipas IKSHPK-së, në rajonin e Prishtinës, fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa sistemet në Badovc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe aktualisht nuk ka probleme me cilësinë e ujit në rrjet.
Në rajonin e Prizrenit, thuhet se uji nga “40 bunarët” përdoret vetëm për nevoja sanitare dhe nuk është i sigurt për pije, ndërsa në burimet e tjera si Cvilen dhe Soz, është i sigurt.
Në Suharekë dhe Malishevë, raportohet se uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për pije, ndërsa në Dragash gjendja paraqitet stabile.
Në rajonin e Gjilanit, uji i pijes thuhet se është në rregull në qytetin e Gjilanit, por në fshatin Berivojcë të Kamenicës janë vërejtur nitrate të rritura dhe uji nuk rekomandohet për pije. Në Viti, furnizimi është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Në rajonin e Pejës thuhet se janë vërejtur turbullira në disa burime, me ndërprerje të furnizimit në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë. Në Pejë, furnizimi nga burimi i Radacit ka rifilluar normalisht.
Sipas njoftimit, uji i pijes në Ferizaj dhe Gjakovë është i sigurt, përderisa në disa burime lokale në rajonin e Gjakovës uji nuk duhet të përdoret për pije.
Instituti njofton po ashtu se edhe në rajonin e Mitrovicës, uji ende nuk është i sigurt për konsum për shkak të turbullirës së madhe dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar.
IKSHPK u rekomandon qytetarëve që ujin nga bunarët e pambrojtur ta vlojnë para përdorimit, të përdorin vetëm burime të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të institucioneve në komunat e tyre.
“Qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt. Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut. Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta”- thuhet në njoftimin publik.