Ndodh edhe me markat që kanë një nivel të lartë të cilësisë së përgjithshme. Hyundai po tërheq mbi 100 mijë vetura elektrike në mbarë botën. Në total janë të përfshira 104,011 automobila të prodhuara midis janarit 2018 dhe korrikut 2023, përfshirë edhe Kona Electric.
Problemi qëndron te softueri që monitoron baterinë me tension të lartë. Në disa raste, sistemi mund të mos kapë shenjat e paqëndrueshmërisë termike, gjë që në rastin më të keq mund të rrisë rrezikun e zjarrëvënies, raporton Electrive. Zgjidhja e këtij problemi qëndron në përditësimin e softuerit.
Në servis do të instalohet versioni i përditësuar i softuerit në njësinë e kontrollit të sistemit të menaxhimit të baterisë (BMS).
Ky përmirësim përfshin një funksion të avancuar monitorimi për zbulimin më të hershëm të paqëndrueshmërisë termike.
Sipas portalit gjerman kfz-betrieb, softueri do të rregullohet për të zbuluar më herët ndryshimet e tensionit midis qelizave individuale të baterisë me tension të lartë.
Thirrja për rikthim (recall) i përket gjeneratës së parë të Kona Electric. Modeli më i ri i lançuar në 2023 nuk përfshihet në këtë rikthim, sepse bazohet në teknologji të ndryshme. /Telegrafi/