Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Kështu mëson Telegrafi brenda LDK-së.
Mediumi ka provuar të marrë një reagim nga LDK apo nga vetë Bajrami, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, pesë pikë përqindjeje më pak se në zgjedhjet e shkurtit 2025. Në legjislaturën e dhjetë, partia do të përfaqësohet me 15 deputetë, pesë më pak se në legjislaturën paraprake.
Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti. Vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes do të merret përmes votës së delegatëve.
Abdixhiku deklaroi pas një mbledhjeje disaorëshe me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë për vendimin për këtë çështje.