Inteligjenca Artificiale përshpejton proceset, por nëse trajnohet me përmbajtje të pasakta, prodhon informacion të pasaktë.
Kështu u shpreh Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, gjatë diskutimit në “Përballje Podcast” shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se IA nuk duhet parë si kërcënim.
“Inteligjenca artificiale është tashmë pjesë e jetës sonë. Nuk duhet të shihet si pengesë, por si diçka që na ka përshpejtu procedurat tona dhe aktivitetet e përditshme,” tha Hoti.
Megjithatë, ai paralajmëroi për përmasat e përhapjes së dezinformimit në epokën digjitale.
“Dezinformimi shpërndahet rreth gjashtë herë më shumë sesa informacioni i saktë për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale,” theksoi ai.
Sipas Hotit, mënyra se si trajnohen modelet e IA-së është vendimtare për cilësinë e përgjigjeve.
“Nëse është trajnu me dezinformata, mos prit që kemi marrë informacion të saktë,” u shpreh ai.
Ai shpjegoi se IA funksionon mbi bazën e algoritmeve dhe të dhënave statistikore, duke shtuar se gjithmonë duhet të ketë verifikim njerëzor pas çdo sistemi.
– YouTube www.youtube.com
“Gjithmonë pas një modeli të AI-së duhet me qëndru një person që vërteton nëse modeli ka pas huqje apo gabime,” tha Hoti.
Në fund, ai paralajmëroi se e ardhmja e integritetit të informacionit mund të karakterizohet nga një përballje teknologjike.
“Do të jetë një luftë mes një AI që dezinformon dhe një AI tjetër që tenton me largu informacionet e pasakta,” përfundoi Hoti./Telegrafi/.