Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëkohësisht dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca ka bërë homazhe në New York në nderim të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të Kosovës dhe shqiptarëve.
Konjufca ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij ka shprehur ngushëllime në emër të Republikës së Kosovës për familjen e Engel.
“Dje, në New York, bëra homazhe në nderim të Kongresistit Eliot Engel dhe shpreha ngushëllimet në emër të Republikës së Kosovës për familjen e tij”, ka deklaruar ai.
Ai ka vlerësuar lart kontributin e Engel, duke theksuar rolin e tij në mbështetje të çështjes së Kosovës ndër vite.
“Ishte një moment për të nderuar jetën dhe veprën e mikut të madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili për dekada me radhë qëndroi me përkushtim të palëkundur duke mbrojtur të drejtën e popullit tonë për çlirim, liri e pavarësi”, ka theksuar Konjufca.
Në fund, ai ka shtuar se kontributi i Engel mbetet themelor në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh. Kontributi i tij është në themel të miqësisë sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/