Lidhja e Bizneseve të Kosovës e ka vlerësuar si një lajm shumë pozitiv vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e masave financiare ndaj Kosovës.
Sipas tyre, ky vendim paraqet një zhvillim të rëndësishëm dhe inkurajues për ekonominë e vendit, duke hapur rrugë për më shumë mundësi financiare dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Masat, të cilat ishin në fuqi për një periudhë të caktuar, konsiderohen se kishin ndikuar negativisht në sektorin e biznesit, duke kufizuar qasjen në fonde dhe duke penguar realizimin e projekteve zhvillimore.
Heqja e tyre, sipas Lidhjes së Bizneseve, pritet të përmirësojë klimën e investimeve, të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik me partnerët ndërkombëtarë dhe të ndikojë në rritjen ekonomike të Kosovës.
Tutje, Lidhja ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të partneritetit me institucionet evropiane, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit në tregjet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/