Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe rëndësinë historike të ngjarjeve të marsit të vitit 1998 në Prekaz, duke theksuar se qëndresa e tyre shënoi një kthesë të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe për luftën për liri.
Haxhiu gjatë fjalës së saj në një seancë solemne për shënimin e Epopesë së UÇK-së tha se në marsin e vitit 1998 shtëpia e familjes Adem Jashari ishte një shtëpi e zakonshme, ashtu si shumë të tjera në Kosovë, me një oborr të thjeshtë dhe mure të ndërtuara me mund.
“Në marsin e vitit 1998 shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë. Një oborr i zakonshëm e mure të ngritura me mund. Në agimin e 5 marsit forcat ushtarake dhe policore rrethuan fshatin. Një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes së Jasharëve. Shtëpia që deri dje ishte e zakonshme u shndërrua në një shtëpi historike”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se familja Jashari mori mbi vete barrën më të rëndë të kohës dhe qëndroi e bashkuar përballë rrezikut.
“Në atë shtëpi ishin të gjithë bashkë, krah për krah, të vetëdijshëm për atë që po u vinte. Asnjëri nuk u largua. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themel i kujtesës dhe qëndresës sonë”, u shpreh ajo.
Haxhiu përmendi edhe rolin e Besarta Jasharit, e cila si fëmijë ishte dëshmitare e ngjarjes në Prekaz.
“Një vajzë e vogël pa gjithçka. Besarta Jashari pa gjithçka dhe u bë dëshmitarja e parë e asaj që ndodhi”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se: “Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një ngjarje, por një moment që shënoi kthesë historike. Prekazi u bë simbol i një populli që nuk pranon të dorëzohet”.
Tutje ajo shtoi se sot Kosova flet nga një pozicion tjetër, si shtet i ndërtuar mbi sakrificën e atyre që ranë për liri.
“Sot flasim nga një pozicion tjetër, nga një shtet i formuar. Ata që ranë nuk kërkuan premtime, ata morën një vendim. Me atë vendim na lanë përgjegjësinë për ta mbrojtur shtetin. Toka e Prekazit është e rëndë, sepse kërkon maturi… Kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, nuk kujtojmë vetëm rënien, por zgjedhjen për të mos u dorëzuar”, ka deklaruar ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/