Pas fitores 2-0 ndaj RB Leipzig në çerekfinalet e Kupës DFB, Bayerni mbetet në garë për të tre titujt – Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve, teksa konsiderohet si një nga favoritët kryesorë në të gjitha garat.
Spekulimet për një tripletë të mundshme janë të pashmangshme, por Harry Kane nuk dëshiron të flasë shumë shpejt për këtë.
“Është padyshim një mundësi, por ka ende shumë për të bërë. Nuk do të rrëmbehemi”, ka thënë fillimisht Kane.
“Jemi në momentin e duhur, në situatën e duhur, jemi ende në të gjitha garat. Mënyra se si po luajmë, mënyra se si ndihemi si ekip, është padyshim një mundësi”.
“Por për të fituar tripletën, të duhet pak fat, duhet të bësh gjithçka siç duhet, duhet të vazhdosh të performosh mirë dhe të qëndrosh pa lëndime. Thjesht duhet të përqendrohemi në atë që po bëjmë tani”, përfundoi sulmuesi. /Telegrafi/