Një gropë e madhe prej rreth 10 metrash është hapur në mes të një rruge kryesore në Manchester, vetëm pak metra larg shtëpive të banorëve.
Pamjet tregojnë thellësinë dhe përmasat e saj në Briscoe Lane, pranë kryqëzimit me Chelsea Road.
Sipas autoriteteve, gropa u shkaktua nga një tubacion uji i shpërthyer.
Kompania United Utilities ka vendosur një perimetër sigurie prej rreth 20 metrash katrorë me barriera ndërtimi, ndërsa ekipet po vlerësojnë dëmet.
Punëtorët kanë filluar pjesërisht mbushjen e gropës me ndihmën e një eskavatori.
Rruga Briscoe Lane është mbyllur në të dy drejtimet dhe është vendosur devijim për qarkullimin e automjeteve.
Dhjetëra banorë dhe biznese në zonë raportuan mungesë të ujit ose presion shumë të ulët.
United Utilities kërkoi falje për shqetësimin, duke konfirmuar se defekti është riparuar dhe furnizimi me ujë është rikthyer, megjithëse presioni i plotë mund të marrë disa orë për t’u stabilizuar.
Edhe Këshilli i Qytetit të Manchesterit konfirmoi se është në dijeni të incidentit dhe po ndjek situatën. /Telegrafi/