Përveç djegies, ënjtjes dhe kruarjes, kjo gjendje e rrallë mund të ndikojë edhe në aftësinë për të mbetur shtatzënë. Alergjia ndaj spermës është e rrallë dhe shpesh mbetet e padiagnostikuar
Imagjinoni të takoni dashurinë e jetës, të hyni në një lidhje dhe më pas të kuptoni se trupi juaj e refuzon atë marrëdhënie. Tingëllon si një shaka e hidhur, por për disa persona kjo është realitet. Kjo lloj alergjie shpesh shfaqet përmes infeksioneve të përsëritura urinare pas marrëdhënieve seksuale, por jo gjithmonë. Disa çifte e zbulojnë këtë problem vetëm pas përpjekjeve të pasuksesshme për të pasur fëmijë.
A mund të jeni alergjik ndaj një personi?
Përgjigjja është, për fat të keq, po. Edhe pse alergjitë ndërpersonale janë të rralla, ato ekzistojnë.
Shumë raste të raportuara lidhen me alergji ndaj produkteve që përdor partneri, dhe jo ndaj vetë personit. Megjithatë, alergjitë e drejtpërdrejta mund të ndodhin, shpjegon dr. Nana Mireku, specialiste e alergologjisë dhe anëtare e Akademisë Amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë.
Disa mekanizma dhe gjendje të ndryshme mund të shkaktojnë këto reaksione. Një ndër më interesantet është sindromi i njohur si “PATM” (People Allergic to Me), që i referohet personave, gazrat e lëkurës së të cilëve mund të shkaktojnë te të tjerët simptoma si teshtitje, kollë, skuqje të syve dhe rrjedhje hundësh.
Deri më tani, të paktën një studim i publikuar i ka dhënë njëfarë mbështetjeje kësaj ideje. Studiues japonezë, duke analizuar gazrat e lëkurës, kanë zbuluar se persona të tillë lëshojnë më shumë përbërje kimike, përfshirë petrokimikate dhe aldehide, si dhe nivele shumë më të larta të toluenit. Gjetjet janë publikuar në revistën Scientific Reports në vitin 2023. Edhe pse kërkimet janë ende të kufizuara, rastet janë raportuar në disa vende dhe kjo gjendje po fiton gradualisht vëmendje në mjekësi, transmeton Telegrafi.
Alergjia ndaj spermës
Përveç PATM-it, alergjia ndaj një personi mund të shfaqet edhe si alergji ndaj spermës, më saktë ndaj proteinave në lëngun seminal.
Ky është i njëjti mekanizëm që shfaqet te alergjitë sezonale apo ushqimore. Ndërmjetësohet nga imunoglobulina E (IgE), e cila aktivizohet kur sistemi imunitar reagon në mënyrë të tepruar, shpjegon dr. Mireku.
Ajo thekson se gratë me alergji ndaj spermës zakonisht kanë simptoma lokale si djegie, kruarje dhe ënjtje në zonën vaginale, por mund të shfaqin edhe simptoma të përgjithshme si skuqje, kollë, ënjtje, madje edhe anafilaksi, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën.
Jo të gjithë spermatozoidët përmbajnë të njëjtat proteina, prandaj kjo gjendje mund të shfaqet me një partner dhe jo me një tjetër, thotë dr. Arielle Bayer, specialiste për fertilitetin në New York.
Edhe pse rastet e konfirmuara nuk janë të shumta, shpesh hasen situata të pashpjegueshme infertiliteti që mund të lidhen me reaksione të tilla të ndjeshmërisë.
Sa është e shpeshtë?
Frekuenca e saktë e alergjisë ndaj spermës nuk dihet, kryesisht për shkak të natyrës intime të problemit dhe faktit që shumë persona nuk e lidhin atë me simptomat që përjetojnë.
Ekziston edhe një gjendje e rrallë ku meshkujt janë alergjikë ndaj spermës së tyre, e njohur si sindroma pas orgazmës. Nga ana tjetër, disa prova sugjerojnë se edhe meshkujt mund të jenë alergjikë ndaj lëngut cervikovaginal, megjithëse kërkimet në këtë fushë janë ende të kufizuara.
Në një studim të publikuar në Journal of the European Academy of Dermatology and Venereology, janë identifikuar 52 raste të dyshuara të kësaj ndjeshmërie, duke sugjeruar se ajo mund të jetë po aq e shpeshtë sa alergjia ndaj spermës.
Çfarë duhet bërë?
Sa i përket sindromës PATM, trajtimi shpesh është i vështirë, pasi vetë gjendja është e vështirë të diagnostikohet, sipas një studimi të vitit 2019 të publikuar në Asian Journal of Psychiatry.
Nga ana tjetër, alergjia ndaj spermës është më e menaxhueshme, të paktën në afat të shkurtër.
- Prezervativët janë hapi i parë në trajtim, pasi ndihmojnë në parandalimin e simptomave. Nëse simptomat zhduken gjatë përdorimit të tyre, kjo mund të tregojë për alergji ndaj spermës, shpjegon dr. Mireku.
Në rastet kur çifti dëshiron të ketë fëmijë, ekzistojnë disa alternativa:
- trajtim te alergologu dhe procedura desensibilizimi
- përdorimi i antihistaminikëve para marrëdhënieve
- fertilizimi in vitro (IVF) ose inseminimi intrauterin (IUI), ku sperma “pastrohet” nga proteinat që shkaktojnë reaksionin alergjik
/Telegrafi/