Autor: Liridon SALIHI – Grupi për Studime Juridike dhe Politike
E drejta në pronë është garanci kushtetuese që duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët pa asnjë pengesë shoqërore, institucionale ose diskriminuese.
Ndonëse në aspektin legjislativ, vendi ynë ka krijuar një kornizë të duhur ligjore dhe mekanizma që sigurojnë që secili të gëzojë me pronën, praktika tregon që patriarkalizmi dhe vonesat e gjyqësorit shpesh bëhen pengesë që kjo e drejtë të gëzohet nga gratë.Një shembull i gruas që u bëri ballë të dy këtyre fenomeneve është Shyhrete Berisha, e cila për dy dekada radhazi nuk ndaloi së kërkuari drejtësi për pronën e saj, të cilën në janar 2026, ia njohu edheGjykata e Apelit e Kosovës.
Zonja Berisha, përveç dhimbjes nga humbja e burrit dhe fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit nëKosovë, u përball edhe me pengimin nga ana e familjarëve të burrit të saj për qasje në pronën për të cilën kishte kontribuar edhe ajo. Sikur kjo të mos mjaftonte, u përball edhe me një sistem të drejtësisë që iu deshën rreth dy dekada për ta njohur të drejtën e saj në gjysmën e shtëpisë. Por, ajo në gjithë këtë rrugë të gjatë e me shumë pengesa arriti të gëzojë një të drejtë kushtetuese, e cila në një shoqëri demokratike dhe në shtetin e së drejtës do të duhej të gëzohej pa kaluar në këto vështirësi.
Ndonëse drejtësi e vonuar – ky rast duhet të shërbejë si shembull e motivim për të gjitha gratë që umohohet e drejta në pronë, dhe pavarësisht pengesave të kujtojnë fjalët e saj: “Jo, jo, jo, kurrë nuk do të ndalna, derisa drejtësia ta bëjë të vetën…”.
Ky rast nuk është vetëm historia e një gruaje të vetme, ai reflekton një realitet për gratë në Kosovë, ku të drejtën e tyre në pronë e pengojnë njëkohësisht norma sociale patriarkale, procedura të stërzgjatura gjyqësore dhe mungesa e barazisë reale midis burrave dhe grave në trashëgimi dhe në pronë të krijuar në regjim martesor.
Për sfidat e grave në realizimin e të drejtave pronësore, Projekti PIAKOS në shtator të vitit 2025, publikoi një raport monitorimi që përfshin mbi 60 raste pronësore dhe 172 seancave gjyqësore në të cilat si palë kanë qenë gratë. Ky raport evidentoi se rreth 45% e grave që nisin proceset e trashëgimisë heqin dorë nga e drejta e tyre, shpesh nën presion familjar, për shkak të mungesës së mbështetjes juridike ose për shkak të bindjes se procesi do të jetë i gjatë, i kushtueshëm dhe me ngarkesë emocionale dhe psikologjike për to.
Se rasti i Shyhrete Berishës nuk është përjashtim sa i përket vonesave gjyqësore, e vërteton edhe gjetja tjetër e këtij raporti që gjykatave i duhen mesatarisht 4 vite vetëm për të filluar trajtimin e një padie me element pronësor ku palë janë gratë. Në anën tjetër, duke pasur parasysh kompleksitetin e rasteve pronësore dhe pavarësisht nëse palë ndërgjyqëse janë burrat ose gratë, gjyqësorit i duhenmesatarisht 5 vite për marrë vendim meritor në këto konteste.
Dështimit të gjyqësorit në zbatimin e parimit të gjykimit të drejtë dhe brenda një kohe të arsyeshme,i përcaktuar në të Nenit 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe Nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut vazhdojnë t’i kontribuojnë disa faktorë. Në këtë pikë, raporti tregon se sfidat për realizimin e të drejtës në pronë në sistemin gjyqësor, sidomos për gratë, janë numri i madh i çështjeve që presin vendim gjyqësor, mungesa e kapaciteteve profesionale dhe e stafit në gjykata dhe përfaqësimi juridik joefektiv.
Prandaj mbetet obligim i shtetit dhe shoqërisë që të ndërmerren hapa konkret me qëllim që secila grua të gëzojë të drejtën në pronë me kohë. Këta hapa përfshijnë por nuk kufizohen vetëm në rritjen e resurseve profesionale në gjyqësor, efikasitetin procedural, prioritetizimin e rasteve dhe rritjen e cilësisë së përfaqësimit ligjor në çështjet pronësore ku palë janë gratë.
Në këtë drejtim, Projekti PIAKOS i implementuar nga shoqëria civile, ka punuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi të drejtën në pronë dhe regjistrimin e saj për efekte të sigurisë dhepavarësisë ekonomike të grave dhe fuqizimin shoqëror. Kampanja “Bëje tënden, regjistroje pronën!”, po kontribuon në rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të grave ose si bashkëpronësi me bashkëshortët ose partnerët e tyre.
Prandaj, tani është koha për reflektim nga institucionet shtetërore, gjyqësore si dhe vetë shoqëria që të garantohet e drejta në pronë dhe të shmangen elementet patriarkale për të gjitha gratë që vazhdojnë të përballen me mohimin e kësaj të drejte, dhe që kjo e drejtë e garantuar të gëzohet pa presion shoqëror. Shteti dhe shoqëria do të jenë shembull i respektimit të barazisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit vetëm atëherë kur gratë do të gëzojnë të drejtat në pronë siç u garanton legjislacioni në fuqi.
Ky shkrim është publikuar nga GLPS, në kuadër të projektit “Nisma për të drejtën e Pronës (PIAKOS)” të mbështetur nga Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC), Banka Botërore dhe Fondi Shumëdonatorpër Shtetndërtim dhe Paqe (SPF).
Përmbajtja dhe opinionet e shprehura në këtë artikull janë përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e GLPS, ATRC, të Bankës Botërore apo të Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtim.